Lajmi i vrasjes së 37-vjeçares Migena Sinani nga kunati i saj Rolandi ka kaluar kufijtë e Shqipërisë.

Mediat greke kanë raportuar ngjarjen e rëndë që tronditi Tiranën, por duke e krahasuar me një tjetër që ka ndodhur në Greqi në vitin 2021. “Protothema” e ka krahasuar vrasjen e Migenës teksa ishte në gjumë me vajzën 2-vjeçare në kraharor me vrasjen e Caroline Crouch nga bashkëshorti i saj pilot.

Mëngjesin e së shtunës, Roland Sinani vrau me armë zjarri kunatën e tij Migena dhe pak minuta më pas vrau me një plumb në nofull veten e tij. Kohët e fundit ai kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor dhe shkak për ngjarjen e rëndë dyshohet se është “bërë” vajza 2-vjeçare e Migenës e cila qante pasi ishte me temperaturë.

Ndërkohë vrasja e 20-vjeçares Caroline në vitin 2021 ngjante me një skenar filmash pasi bashkëshorti i saj pilot organizoi çdo gjë me detaje. Ai vrau bashkëshorten e tij teksa ajo ishte në gjumë dhe më pas inskenoi me detaje një vjedhje, si për të treguar se hajdutët i vranë gruan. Por hetimet e vazhdueshme zbuluan se vrasjen e kishte kryer vetë piloti Babis Anagnostopoulos në sytë e foshnjes 11-muajshe që kishte me Caroline.

Mediat greke i cilësojnë të dyja këto vrasje si brutale pasi janë vrarë dy gra.

Komuniteti lokal i Tiranës është tronditur nga një krim brutal ku përfshihet një grua. Mediat shqiptare raportojnë se një 43-vjeçar ka vrarë kunatën e tij 37-vjeçare dhe nënën e dy fëmijëve të vegjël, teksa gruaja flinte me vajzën e saj dyvjeçare. Më pas autori u vetëvra. Me zbardhjen e rastit, mësohet se Roland Sinani vuante nga probleme psikologjike teksa kërcënonte shpesh kunatën e tij, Migena Sinani.

Autori është vetëvrarë në oborrin e shtëpisë. Autori i vrasjes, dy prindërit e tij të moshuar, si dhe vëllai i Erjonit me bashkëshorten Migena dhe dy fëmijët e tyre, 4 dhe 2 vjeç, banonin në një shtëpi njëkatëshe të dëmtuar nga tërmeti. Në mënyrë tragjike, vajza 2-vjeçare ishte dëshmitare e vrasjes së nënës së saj pasi flinte në të njëjtin shtrat, ndërsa fëmija tjetër ishte me gjyshërit.

Policia ka marrë në pyetje edhe bashkëshortin e viktimës, i cili punonte si shofer taksie. Ai tha se kishte dëgjuar disa herë vëllanë e tij duke i bërtitur viktimës: “ Do të të vras ”.

Kur autoritetet mbërritën, gjetën armën në anën tjetër të oborrit, e cila nuk lidhet me skenarin e vetëvrasjes së autorit. Dyshimet fillestare të hetuesve ishin se arma ishte marrë nga një person tjetër, në tentativë për të asgjësuar provat. Megjithatë, pas marrjes në pyetje, autoritetet dolën në përfundimin se babai i autorit e kishte lëvizur armën. Ku dhe si e gjeti autori armën mbetet mister, ndërsa hetimet vijojnë.