Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Durrësit, ku një turiste italiane është përdhunuar nga një 26-vjeçar shqiptar. Ngjarja është raportuar gjerësisht edhe në mediat italiane, përfshirë “Corriere della Sera”.
Sipas policisë shqiptare, ngjarja ndodhi rreth orës 05:25 të mëngjesit, teksa turistja ndodhej e ulur në një shezlong pranë një hoteli. Ajo është sulmuar seksualisht nga shtetasi Leonard Peza, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Turistja ka deklaruar në polici se u përpoq t’i rezistonte dhunës, por nuk ia doli ta ndalonte autorin. Menjëherë pas ngjarjes, ajo ka bërë denoncimin duke dhënë të dhënat që mbante mend për autorin.
I arrestuari pranoi se ka pasur marrëdhënie me të renë, por pretendoi se ato kanë qenë konsensuale. Megjithatë, ekzaminimet mjekësore zbuluan mavijosje në qafën dhe trupin e viktimës, çka sipas hetuesve konfirmon përdorimin e forcës.
Turistja u shpreh se gjatë natës kishte qenë me disa miq dhe kishte konsumuar alkool, por në një moment ishte larguar dhe ishte ulur vetëm në shezlong, aty ku ndodhi sulmi.