Një operacion i policisë spanjolle ka çmontuar një rrjet kriminal të dyshuar për kultivim dhe trafik kanabisi në provincën e Valencias, ku sipas autoriteteve pjesë e organizatës ishin edhe shtetas shqiptarë.

Gjatë aksionit policor u arrestuan 14 persona, ndërsa u sekuestruan rreth 3 mijë bimë kanabisi dhe disa armë zjarri. Hetuesit zbuluan tre ambiente të përshtatura për kultivimin e drogës në ambiente të mbyllura, përfshirë edhe një mega-plantacion të pajisur me teknologji të avancuar.

Në njërin prej ambienteve u gjetën 2 mijë e 763 bimë kanabisi në fazë të avancuar rritjeje, ndërsa autoritetet thanë se grupi kishte investuar në sisteme të sofistikuara për prodhimin dhe ruajtjen e kultivimit.

Hetimi kishte nisur në muajin janar, pasi disa shtetas shqiptarë u vunë re duke transportuar pajisje të destinuara për ngritjen e ambienteve të kultivimit të kanabisit në zonën e Xirivellës.

Sipas policisë spanjolle, organizata përdorte masa të larta sigurie për të shmangur zbulimin, duke përdorur automjete të ndryshme me qira dhe duke ndryshuar shpesh zonat e aktivitetit.

Nga hetimet rezultoi se grupi shqiptar bashkëpunonte me shtetas spanjollë, disa prej të cilëve ishin të njohur më parë për vepra penale të lidhura me trafikun e drogës. Autoritetet dyshojnë se të dy grupet kishin krijuar një strukturë të organizuar kriminale me role të ndara në financim, logjistikë dhe kultivim.

Të arrestuarit akuzohen për kultivim dhe trafik droge, mashtrim me energjinë elektrike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Tre prej tyre janë lënë në paraburgim, ndërsa njëri rezultonte person i shpallur në kërkim për vepra të ngjashme.