Djemtë  ‘duhen’ për  të trashëguar emrin dhe pronat e familjes, për të mbrojtur nderin  si edhe për t’ju bërë ballë rreziqeve të jashtme që i kanosen shtëpisë. Këto janë disa nga arsyet pse familjet shqiptare preferojnë më tepër lindjen e fëmijëve meshkuj sesa femra, sipas studimeve më të fundit lidhur me këtë temë. Paragjykimet dhe trimëria mbeten ende vendimtare në lindjen e një fëmije për ciftet e reja, sepse vajzat janë ato që mund të prishin nderin e familjes ndërsa djemtë sado që të bëjnë gabime këto harrohen më shpejt se në rastin e vajzave.


Djali është gjithashtu ‘trimi’ që mbron familjen nga rreziqet e ndryshme që vijnë duke qenë se është i fortë dhe jo i brishtë si një vajzë që ka më tepër brishtësi se forcë fizike. Nga ana tjetër, djemtë mund të trashëgojnë emrin e familjes nga njëri brez te tjetri, ndërsa vajzat marrin emrin e familjes së burrit dhe linja familjare humbet, po kështu edhe pronat familjare, nuk ndahen asnjëherë mes vajzave të shtëpisë por u lihen vetëm djemve. Të kesh vajzë është e vështirë më tepër prej paragjykimeve, kryesisht në zonat rurale, të cilat nuk e lejojnë një femër të dalë lirisht apo të shoqërohet me meshkuj. Nëse ajo e bën këtë, prishet i ashtuquajturi nderi i familjes, dhe nëse ka vëllezër, ata nuk do ta lejojnë këtë gjë.


Shumë baballarë i mendojnë fëmijët  e tyre meshkuj pa lindur ende, si ‘shtyllën e shtëpisë’ , kur të rriten, do të jenë ata që do të punojnë dhe të mbajnë familjen, do të jenë ata që do të kujdesen për prindërit në pleqëri pasi vajzat shkojnë në shtëpinë e burrit. Pra janë edhe arsyet ekonomike ato që çojnë në preferencat e fëmijëve meshkuj ku sipas një studimi të United Nations Population Fund Agency, nga anketimi me banorët në rrethe të ndryshme në Shqipëri ata janë shprehur se “Djali është për të ruajtur rrënjët e familjes ndërsa vajza është për shtëpinë e botës” “Kur lind një djalë edhe trarët e shtëpisë qeshin, ndërsa kur lind vajzë, trarët qajnë”. Mesa duket këto thënie të të parëve të tyre, u kanë mbetur në mendje edhe sot e kësaj dite dhe pavarësisht kohërave, që një vajzë mund të mbajë mbiemrin e saj dhe jo të burrit, apo se edhe djemtë mund të largohen në emigracion  njësoj si vajzat duke lënë prindërit vetëm, kur i pyesin për  preferencat gjinore të fëmijëve, shqiptarët përgjigjen se duan të kenë djem dhe jo vajza.


Nga ana tjetër vajzat janë të domosdoshme për mbajtjen e shtëpisë, ato janë për t’i shërbyer anëtarëve të familjes, për të bërë punët brenda në shtëpi ndërkohë që vëllezërit punojnë jashtë, ato gatuajnë, lajnë rrobat, pastrojnë shtëpinë e të tjera si këto. Por prapëseprapë, nuk është problem nëse një familje nuk ka vajze. E nëse kanë vetëm vajza dhe jo djem,këto familje shihen si t’i ketë ndodhur një fatkeqësi e rëndë. Ndikim të madh në këto preferenca duket se kanë edhe normat e pashkruara të komunitetit ku shqetësimet e grupit kanë një rëndësi të madhe  për çdo individ.


Shqipëria si një vend mesdhetar, karakterizohet nga një kulturë kolektiviste dhe e orientuar nga nderi, si rrjedhojë në këto kultura ka një ndjeshmëri të lartë ndaj respektimit të besimeve dhe normave të komunitetit. Pjesëmarrësit në këtë studim përmendin shpesh se qëndrimet e komunitetit pas lindjes së fëmijëve bëheshin burim presioni si nga brenda ashtu edhe nga jashtë familjes.


Nga studimi i UNFPA , vihet re gjithashtu se në Shqipëri gjatë 60 viteve të fundit numri i fëmijëve të lindur në çdo familje, priret të ulet duke sjellë dhe një model të familjes me më pak fëmijë. Të anketuarit lidhur me këtë pyetje, janë përgjigjur se ata do të dëshironin të kishin dy deri në katër fëmijë, numër që ishte shumë më i vogël se numri që ata kishin qenë vetë në familjet e tyre të origjinës. Shkak për uljen e lindshmërisë duket të kenë qenë ndryshimet politiko-sociale të këtyre 60 viteve të fundit, që kanë orientuar jetën shoqërore më tepër drejt individualizmit dhe familjeve sa më të vogla. Ulja e numrit të fëmijëve si edhe preferencat specifike gjinore duken më tepër si një kërcënim për prindërit e rinj që duan të kenë një djalë  pasi: “Mentaliteti këtu e kërkon që të kesh një djalë patjetër” shprehen ata gjatë anketimit. Në familjet e prindërve të tyre, në dhjetë fëmijë, do të lindnin në mos pesë, katër ose tre, të paktën njëri do të ishte djalë. Në ditët e sotme ky probabilitet ka tendencën të ulet gjithnjë e më tepër, për shkak të numrit të relativisht të vogël të fëmijëve, dhe që kur njëri prej tyre duhet të jetë djalë, që kërcënon edhe prishjen e raporteve ndërmjet dy gjinive në vend.


19 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)