Ndërtimet në Palestinë krijojnë frikën se procesi i paqes po bëhet i pamundur


Vendimi i Izraelit për të vijuar zbatimin e planeve ndërtimore në Jerusalemin Lindor duket se do të dominojnë axhendën e Kryeministrit izraelit, i cili po viziton aktualisht Gjermaninë, bën të ditur Dwelle. Ekziston frika se lëvizja e fundit e Netanjahut do ta bëjë procesin e paqes në Lindjen e Mesme të pamundur.


Kryeministri Netanjahu u përball dje me perspektivën që Gjermania nuk do ta mbështesë në planet për ndërtimin në territoret e diskutueshme pranë Jeruzalemit. Kjo pritet të jetë çështja kryesore e bisedimeve me Kancelaren gjermane, Angela Merkel.


Netanjahu vizitoi Pragën, e cila njihet si mbështetëse e fortë e Izraelit dhe si vendi i vetëm i BE-së që votoi kundër pranimit të Palestinës si vend vëzhgues joanëtar në OKB javën e kaluar. Merkel lëshoi një mesazh të shtunën e kaluar duke deklaruar se pret Netanjahun në një “diskutim miqësor”. Por zyra e saj lëshoi të hënën një kritikë të ashpër ndaj politikës së ndërtimeve të reja, një projekt i njohur si E1 dhe që pritet të ndajë në terren Bregun Perëndimor në dy pjesë.


“Qeveria e Izraelit po jep një mesazh negativ me këtë lëvizje. Kjo po shkërmoq besimin mbi vullnetin e Izraelit për të biseduar, si dhe toka për një shtet të ardhshëm palestinez po zhduket edhe më shumë”, tha zëdhënësi i Merkel. Planet e Izraelit për vendbanime të reja pritet të vënë në hije pjesët e tjera të bisedimeve, pasi Gjermania e ka të vështirë të kalojë pa kritikuar Netanjahun.


Gjermania ndryshoi votën e saj në OKB nga kundër në abstenim, në një votim që përfundoi me mbështetje masive për Palestinën në të gjithë botën dhe me vetëm 9 vota kundër. Ndërkohë, plani i Izraelit për vendbanime të reja ka rritur presionin edhe brenda Gjermanisë dhe Merkelit i kërkohet të mbajë qëndrim kritik.


“E1 nuk është thjesht një vendbanim tjetër. E1 ka një rëndësi të madhe strategjike. Jerusalemi Lindor mund të ndahet pas kësaj përgjithmonë nga Bregu Perëndimor, duke e bërë zgjidhjen e propozuar për dy shtete praktikisht të pamundur”, tha Ruprecht Polenz, një anëtar i partisë së Merkel.


“Qeveria duhet të bëjë gjithçka që të bindë Izraelin të kthejë mendjen në bisedimet dypalëshe”.


Bashkëkryetarja e Partisë së Gjelbër, Claudia Roth, i kërkoi gjithashtu Merkelit të këmbëngulë që ndërtimi i vendbanimeve nuk është në interes të Izraelit.


“Merkel duhet të garantojë që Europa flet me një zë”, tha ajo duke shtuar se anëtarët e BE “duhet të bëjnë gjithçka që të garantojnë se ka ende mundësi për zgjidhjen e konfliktit përmes ndërtimit të dy shteteve”.