Një zjarr ka shpërthyer në bllokun elektrik të një pallati në lagjen Besëlidhja, në qytetin e Lezhës, duke shkaktuar panik dhe frikë te banorët.
Ngjarja ndodhi gjatë orëve të drekës, kur tymi i dendur detyroi banorët të dalin nga banesat për siguri. Pamjet e para të incidentit tregojnë se blloku elektrik është shkrumbuar nga flakët.
Pas njoftimit, shërbimet zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe arritën të shuanin flakët, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit. Për të siguruar situatën, punonjësit e OSHEE (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike) stakuan energjinë për rreth 30 minuta në këtë lagje.
Aktualisht, po punohet për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike për banorët e pallatit të prekur. Autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbuluar shkaqet e zjarrit dhe për të marrë masat e nevojshme për parandalimin e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.
