Një zjarr i fuqishëm ka shkatërruar lokalin në Nea Jonia të Athinës, i njohur edhe si vendi ku tre vite më parë u vra me armë zjarri shqiptari Pëllumb Islami.

Flakët përfshinë të gjithë ambientin, duke e dëmtuar rëndë atë, ndërsa zjarri preku edhe tre banesa që ndodhen në katet sipër lokalit. Dëmet materiale raportohet se janë të konsiderueshme.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar origjinën e flakëve. Një nga pistat që po shqyrtohet është ajo e një zjarrvënieje të qëllimshme, megjithëse shkaku nuk është përcaktuar ende zyrtarisht.

Vëmendjen e hetuesve e ka tërhequr edhe historia e lokalit. Më 22 shkurt 2023, pikërisht brenda këtij ambienti u qëllua për vdekje 37-vjeçari shqiptar Pëllumb Islami. Ai humbi jetën pasi u godit me armë zjarri.

Pavarësisht kësaj, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka të dhëna që provojnë një lidhje mes zjarrit dhe vrasjes së ndodhur në vitin 2023.

Policia greke po mbledh dëshmi dhe prova nga zona për të përcaktuar mënyrën se si nisi zjarri dhe nëse pas tij qëndron një veprim i qëllimshëm.