Një zjarr i rënë në zonën e Pelivorit, poshtë fshatit Gostivisht në bashkinë Kolonjë, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, fatmirësisht pa pasoja në njerëz.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë një stallë bagëtish, duke djegur rreth 40 kuintalë misër dhe elb, si dhe 150 dëngje jonxhë. Dyshohet se shkaku i zjarrit ka qenë pakujdesia e vetë pronarit në ambientin ku ai qëndronte.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e shërbimit zjarrfikës të Kolonjës me dy mjete, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve në kohë.
Falë reagimit të shpejtë, u arrit të parandalohej përhapja e zjarrit drejt një sipërfaqeje pyjore me lisa pranë stallës, duke shmangur pasoja edhe më të mëdha për zonën.
