Në rang vendi, tashmë ka përfunduar numërimi i votave për partitë politike në 9 qarqe të vendit.
Partia Socialiste e Shqipërisë është forca politike fituese me një shumicë të qartë, duke grumbulluar 707,915 vota, e deri më tani 82 mandate. Nga ana tjetër, Partia Demokratike, ose “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” deri tani ka marrë 465,805 vota, ose 52 mandate.
Koalicioni “Nisma- Shqipëria Bëhet” arrin të sigurojë vendin e tretë me 49,329 vota, që përkthehen në një mandat. Më pas vjen Partia Socialdemokrate me 46,045 vota, 3 mandate, Partia Mundësia me 39,944 dhe Lëvizja Bashkë me 19,123 vota. Të dyja këto parti kanë arritur deri më tani të sigurojnë nga një mandat.
Në qarqet ku ka përfunduar numërimi i votave për partitë politike, ka nisur numërimi për votat preferenciale, që do përcaktojnë edhe numrin e votave për kandidatët në listat e hapura.

Ndërkohë, sa i përket votës së diasporës, deri më tani janë hapur 38,806 zarfa dhe mbeten për t’u hapur edhe 156,083. Me rezultatin e deritanishëm, Partia Socialiste ka arritur të sigurojë 21,305 vota, e ndjekur pas nga Partia Demokratike ose “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” me 10,951 vota. Forcë e tretë nga emigrantët shqiptarë renditet koalicioni “Nisma- Shqipëria Bëhet” me 3161.
