Gjatë një konference për shtyp këtë të mërkurë, në lidhje me masat për sezonin turistik, Ministri i Brendshëm u ndal edhe te projekti “Smart City”, i cili parashikon rritjen e përdorimit të teknologjisë në sistemin e sigurisë publike dhe në mjediset arsimore.
Lamallari u shpreh se brenda këtij viti do të nisë zbatimi i projektit “Smart City” fillimisht në disa shkolla të Tiranës.
“Përmenda projektin Smart City. Është projekt që ndryshon faqen e historisë së sigurisë në Shqipëri. Shfrytëzimi i kapaciteteve ekzistuese, por edhe shtimi i mbikëqyrjes elektronike, ndihmon duke përdorur avantazhet që sjell teknologjia e lartë. Jep sinjalet e duhura kur krijohet përshtypja që një nxënës ka mjet prerës. Me nisjen e vitit të ardhshëm arsimor do të kemi zbatimin e këtij projekti në 21 shkolla në Tiranë”, theksoi ai.
Ai shtoi se projekti “Smart City” bazohet në përdorimin e inteligjencës artificiale, e cila synon të rrisë efikasitetin e reagimit të strukturave të sigurisë, duke ndihmuar në identifikimin e situatave me rrezik në kohë reale. Sipas tij, sistemi do të ndihmojë në filtrimin e imazheve dhe sinjaleve me interes për policinë, në mënyrë që reagimi të jetë sa më i shpejtë dhe i saktë.
“Viti i ri shkollor do të na gjejë të implementuar në këto shkolla”, u shpreh Lamallari, duke shtuar se më pas projekti do të shtrihet gradualisht edhe në hapësira publike, sheshe dhe mjedise të tjera, me synim rritjen e sigurisë dhe uljen e aksidenteve rrugore.
Projekti “Smart City” synon rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e krimit përmes teknologjisë së avancuar.
