Pas 11 ditësh nga bllokimi, sot rinis qarkullimi në aksin Librazhd-Prrenjas me hapjen e rrugës provizore në orën 12:00. ARRSH njofton se në rrugën provizore të ndërtuar mes Korridorit VIII dhe rrugës ekzistuese që është shembur, mund të kryhet kalimi i të gjitha mjeteve.
Qarkullimi do të kryhet me sinjalistikë kantieri.
“Sot, datë 03.03.2026, ora 12:00, rikthehet qarkullimi për të gjitha mjetet në aksin Librazhd–Prrenjas, i cili ishte i bllokuar si pasojë e rrëshqitjes në zonën “Arrat e Gurrës”.
Qarkullimi do të kryhet përmes një devijimi provizor, të ndërtuar ngjitur me pozicionin ekzistues të mëparshëm, deri në realizimin e plotë të rrugës alternative, tashmë të bërë publike, në shtratin e lumit Shkumbin dhe të integruar me trupin e hekurudhës.
Segmenti do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe, përkohësisht, do të jetë i paasfaltuar deri në stabilizimin e shtresave, pas së cilës do të kryhet asfaltimi përfundimtar.
Duke kërkuar mirëkuptim nga të gjithë përdoruesit e rrugës si dhe banorëve të zonës, u bëjmë thirrje të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, për të garantuar një qarkullim të sigurt për të gjithë”, thuhet në njoftim.
Segmenti 1.3 km i rrugës alternative (jo provizore) do të ndërtohet përkrah hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin. Ky segment kalon pjesën e erozionit dhe ruan një pjerrësi të përshtatshme dhe të sigurt për kalimin e mjeteve.
