Pas ngjarjes së rëndë në Shkodër, ku mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, duke kritikuar ashpër policinë dhe institucionet shtetërore.

Në shkrimin e tij, Noka e cilësoi Policinë e Shtetit si “policia e karteleve”, duke akuzuar qeverinë se ka braktisur qytetarët dhe se siguria publike është lënë në dorë të individëve. Ai theksoi se “në 113 vite shtet, qytetari shqiptar nuk është ndjerë më i pambrojtur se sot”.

Por debati nuk u ndal me kaq. Në seksionin e komenteve, një qytetar i rikujtoi Nokës episodin kur ai është filmuar duke ushtruar dhunë ndaj policisë në një protestë. Komentuesi e ironizoi duke thënë se “grushtet ndaj policisë do t’i kthehen më keq se Likja”.

Në vend të një përgjigjeje të matur, Noka reagoi me një koment fyes, duke i thënë ndjekësit: “Merr një brisk dhe eja mbaro punë bashkë me policinë e karteleve.”