Në një ceremoni zyrtare të zhvilluar sot, Skënder Hita ka marrë detyrën si Drejtor i ri i Policisë.

Gjatë aktivitetit, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, vlerësoi figurën e Hitës, duke theksuar profesionalizmin dhe integritetin e tij përgjatë karrierës.

Ai u shpreh se përzgjedhja e drejtuesit të ri është bërë mes kandidatëve të kualifikuar, por sipas tij, Hita është personi i duhur për këtë detyrë në një moment të rëndësishëm për institucionin.

“Jam i bindur se jo vetëm të pranishmit sot, por edhe më gjerë, ndajnë të njëjtën bindje se zoti Hita është njeriu i duhur për të udhëhequr Policinë. Ai është profesionist dhe me integritet”, deklaroi ministri gjatë fjalës së tij.