Kozma Kukli, 61 vjeç, punonjës i shërbimeve publike në Vlorë, ka rrëfyer momentet e rënda kur u dhunua nga dy të rinj, teksa po bënte pazar pranë zonës së Postës në lagjen “Çole”.
Sipas tij, një furgon mallrash i preu rrugën papritur dhe prej andej zbritën dy djem të veshur me të zeza, të cilët e goditën në mënyrë të papritur dhe pa dhënë asnjë shpjegim.
“Isha te posta e Çoles duke bërë pazar, kur një furgon mallrash më preu rrugën. Zbritën dy djem rreth moshës 25-30 vjeç, të veshur me të zeza, dhe filluan të më godasin pa më thënë asnjë fjalë. Nuk më dhanë asnjë arsye dhe nuk kisha fuqi t’u ktheja përgjigje. Tentuan të largoheshin, por u dola përpara bashkë me biçikletën time për t’i ndaluar. Atëherë më thanë: ‘Provo të marrësh policinë dhe të tregojmë ne. Ishte një sulm pa asnjë arsye. Mund të kenë qenë 100 vetë dëshmitarë aty pranë dhe askush nuk reagoi. Më parë nuk kam pasur asnjë kontakt me ta. Nuk i njihja fare”, tha ai për News24.
Nga sulmi, Kukli pësoi tre fraktura në kokë dhe fytyrë, si dhe dëmtime serioze në njërin sy. Ai thekson se nuk ka pasur asnjëherë kontakt me autorët dhe nuk i njeh.
Pas ngjarjes, policia arrestoi dy personat e dyshuar, Ermal Sakaj, 37 vjeç, dhe Klaudio Nurçaj, 30 vjeç, të dy me të kaluar kriminale. Sakaj ka qenë i dënuar më parë për plagosje me armë zjarri, ndërsa Nurçaj për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.