Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me vrasjen e Gentjan Bejtjas mesditën e 15 marsit
Sipas hetimeve rezulton se Ilir Beqaraj, i njohur ndryshe edhe me mbiemrin Brahimi, ka qenë në rolin e shoferit që ka larguar autorët nga fshati Hasan ku dogjën automjetin tip “Land Rover” pas krimit.
Me hapjen e kamerave të sigurisë, është rindërtuar edhe intinerari i autorëve, ku dyshohet se Ilir Brahimi drejtonte makinën tip “Golf 7” ngjyrë të zezë. Pasi ka marrë 4 autorët e dyshuar, ata janë larguar në drejtim të Bubqit të Krujës. Makina e përdorur nga Ilir Beqaraj, është në pronësi të 30 vjeçarit Edison Haxhiu, i cili sipas hetimeve rezulton se ka mbajtur të fshehur për disa ditë automjetin e tij.
Më pas me 19 mars, Edison Haxhiu, dyshohet se ka ndërruar disqet e automjetit që të mos binte në sy nga policia, e cila ishte vënë në kërkim të automjetit të dyshuar. Por identifikimi i automjetit eshtë bërë nëpërmjet targave që i kishin vendosur në bagazh. Pas sekuestrimit brenda automjetit policia ka gjetur edhe disa qese të zeza që përdoren për errësimin e xhamave.
Gjetja e automjeti shihet me shumë vlerë për hetuesit, ku mësohet se brenda saj janë marrë edhe profile ADN. Ndërkohë nga ekspertiza ka rezultuar se në drejtim të 43-vjeçarit Bejtja është qëlluar nga 3 kallashnikovë.
Mësohet po ashtu se automjeti “Land Rover” me 4 autorët e dyshuar ka ardhur nga aksi rrugor që lidh Tiranën me zonën e Larushkës ndërsa pas atentatit është larguar drejt fshatit Hasan.
Për sa i përket motivit të vrasjes, hetimet janë shtrirë në konfliktet e vjetra të Gentjan Bejtajt, duke mos përjashtuar edhe mundësinë se vrasja mund të jetë porositur nga persona të tjerë e autorët të jenë paguar dhe jo të kenë pasur konflikte të drejtpërdrejta me vitkimën.

