Hetimet për vrasjen e Beqir Devollit, i njohur me nofkën Çilo Hundërri, janë përqendruar te rrethi i tij shoqëror dhe e kaluara e viktimës. Brenda dy ditëve, policia ka marrë në pyetje 23 persona, në përpjekje për të gjetur elemente që mund të çojnë te motivi dhe autorët e atentatit të ndodhur në Gjirokastër.

Dëshmitë e mbledhura deri tani lidhen kryesisht me njohjet, kontaktet dhe marrëdhëniet që viktima kishte pasur gjatë viteve. Hetuesit po kërkojnë të zbulojnë nëse në të kaluarën e tij ka pasur ndonjë konflikt që mund të ketë lidhje me vrasjen.

Një prej personave që është paraqitur për t’u pyetur është Erigers Mela, djali i ish-prokurorit të ndjerë Përparim Mela. Ai njihej prej kohësh me Çilo Hundërrin dhe, sipas burimeve, mes tyre kishte një raport shoqëror.

Mela u ka thënë hetuesve se nuk kishte konflikte apo armiqësi me persona të tjerë dhe se marrëdhënia e tij me viktimën ishte miqësore. Dy burrat kishin afrimitet të tillë sa, sipas informacioneve, përdornin herë pas here edhe automjetet e njëri-tjetrit.

Në polici janë thirrur gjithashtu familjarë të Beqir Devollit. Ata kanë deklaruar se nuk kishin dijeni që ai të kishte pasur probleme apo përplasje me persona të caktuar.

Familjarët kanë treguar se kohët e fundit viktima shfaqej shpesh i shqetësuar. Megjithatë, ata nuk e kishin lidhur këtë gjendje me ndonjë kërcënim të mundshëm, por me faktin se Devolli ishte i papunë.

Pikërisht kjo pjesë po shqyrtohet nga grupi hetimor, i cili po përpiqet të kuptojë nëse shqetësimi i viktimës mund të kishte pasur një shkak tjetër që familja nuk e njihte.

Paralelisht po rindërtohen lëvizjet e tij përpara shpërthimit. Një nga pistat që po verifikohet është nëse autorët e kanë mbajtur nën vëzhgim dhe e kanë ndjekur përpara se të realizonin atentatin.

Një element i rëndësishëm i hetimit është edhe eksplozivi i përdorur. Sipas burimeve pranë grupit hetimor, në automjet dyshohet se ishte vendosur një sasi prej rreth 300 gramësh TNT.

Marrja në pyetje e 23 personave nuk nënkupton se ata janë të dyshuar për vrasjen. Dëshmitë e tyre po përdoren për të rindërtuar rrethin e kontakteve të viktimës dhe për të identifikuar çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.

Deri tani nuk është bërë publik një motiv i përcaktuar dhe nuk raportohet për persona të identifikuar zyrtarisht si autorë. Hetimet vijojnë për të zbuluar se kush e organizoi atentatin me eksploziv dhe arsyen përse u vra Beqir Devolli.