Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka marrë si të pandehur ish-kryebashkiakun e Divjakës, Fredi Kokoneshi.

Sipas organit të akuzës, Kokoneshi dyshohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Nga hetimet e zhvilluara rezulton se, gjatë kohës që drejtonte Bashkinë e Divjakës, janë kryer shkelje ligjore në procedurat për dhënien me qira të disa pronave publike, të cilat u përdorën për ndërtimin e impianteve fotovoltaike me kontrata shfrytëzimi 10-vjeçare.

SPAK thekson se pasuritë në fjalë figuronin të regjistruara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) si tokë bujqësore, çka, sipas hetimit, ngre dyshime për paligjshmëri në procedurën e ndjekur nga zyrtarët e bashkisë.