Gjykata e Fierit ka liruar nga paraburgimi mjekun imazherist të Spitalit Rajonal, Gëzim Taullaj.

Pas një seance të gjatë, ku vetë i dyshuari mungoi për arsye shëndetësore dhe u përfaqësua nga avokati mbrojtës, Xhevair Morina, gjyqtari i gatshëm vendosi ta linte në “arrest shtëpie” 66-vjeçarin.

Pasi dëgjoi të dyja palët, prokurorinë dhe avokatin, u vendos zbutja e masës dhe për shkak të rrethanave të krijuara. Masa e sigurisë u dha nga gjyqtare Aurora Tusha dhe prokuror ishte Leonard Suçi. Mbi mjekun rëndojnë veprat penale “shpërdorim i detyrës”, dhe “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Taullaj ra në prangat e policisë teksa është kapur në flagrancë duke i marrë një shumë parash një pacienti, që do të kryente ekon abdominale. Aksioni erdhi pas një hetimi 4-mujor në bashkëpunim me Prokurorinë, dhe u arrestua në përfundim të operacionit policor të koduar “Imazheria”.

Gjithashtu ai akuzohet se shpërdoronte detyrën pasi gjatë orarit zyrtar të punës, ku vizitonte pacientë në dy klinika private në Fier. Si provë materiale gjatë kontrollit në banesë iu gjetën dhe sekuestruan si provë materiale, shuma e lekëve që i mori qytetarit, në kundërshtim me ligjin, 1.857. 000 lekë të reja, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollarë.