Qyteti i Durrësit është veshur ditën e sotme në zi, ndërsa familjarët, miqtë dhe të afërmit i japin ditën e sotme lamtumirën e fundit dy të miturve që humbën jetën në aksidentin tragjik

Qindra qytetarë, familjarë dhe bashkëmoshatarë janë mbledhur pranë banesave të dy vogëlushëve të ndjerë, për t’u dhënë lamtumirën e fundit. Në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik janë vendosur lule, ndërsa bashkëmoshatrët e tyre kanë mbërritur me kurora lulesh në duar.

Kujtojmë se fëmijët ishin duke luajtur në trotuar në momentin që Nikollë Radaçi me shpejtësi të lartë, i mori para me makinën e tij “Benz”. Dy të mitur humbën jetën, teksa i treti ndodhet në spitalin e Traumës.

57-vjeçari ishte bërë shqetësim i vazhdueshëm për banorët e zonës, të cilët kishin bërë disa herë ankesa në polici për drejtimin e automjetit me shpejtësi të lartë dhe në gjendje të dehur. Madje, vetëm një ditë më parë, një banor kishte shmangur për pak një aksident bashkë me nipin e tij të mitur. Mësohet se ai ishte ndëshkuar edhe më herët nga policia, ndërsa në dy raste i ishte hequr leja e drejtimit për shkak të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur. Ngjarja tragjike, sipas dëshmive të banorëve, shihet si një aksident i paralajmëruar.