18 vite më parë, më 17 shkurt 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Prishtinës, Kosova shpalli Pavarësinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Me ngritjen solemne të flamurit shtetëror mëngjesin e kësaj të marte, Kosova nisi ceremonitë zyrtare për shënimin e 18-vjetorit të pavarësisë. Flamuri u ngrit në oborrin e ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë, në praninë e krerëve më të lartë të shtetit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Presidentja Osmani e cilësoi këtë ditë si një moment reflektimi dhe krenarie dhe nderoi sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.

“Sakrifica ka qenë shekullore, kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka që sot ta gëzojmë shtetin e Kosovës. Shprehim respektin e thellë për presidentin historik, Ibrahim Rugova, sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë ata që dhanë jetën që ne ta gëzojmë shtetin tonë”, tha ajo.

Kryeministri Kurti theksoi përparimin e vendit në forcimin e institucioneve dhe zhvillimin e ekonomisë, ndërsa kryeparlamentarja Haxhiu tha se “sot e edhe çdo ditë tjetër kujtohen me nderim të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësi”.

Në seancën solemne të Qeverisë, Kurti përmendi edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai tha se shpallja e pavarësisë nuk mund të përkujtohet pa u nderuar ata që kontribuuan në ndërtimin e shtetit.

“Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë”, tha Kurti.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë të popullit shqiptar në trojet tona, të ndara padrejtësisht në Konferencën e Londrës më 1912. Për gati 100 vjet populli shqiptar në Kosovë përjetoi spastrimin etnik nga regjimi i ish‑Jugosllavisë, gjë që rezultoi në një Luftë Çlirimtare (1997–99). Pas përfundimit të luftës u vendosën trupat paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.

Që nga 13 qershori 1999, kur forcat serbe u detyruan të largohen nga Kosova, vendi u administrua nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK – dhe institucionet vetëqeverisëse të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria.

Në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe në Beograd për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008.

Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës e bëri kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, së bashku me deputetët e Kuvendit dhe Presidentin, në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë më 17 shkurt 2008.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në përputhje të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe me propozimin e tij gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës,” thuhet në deklaratën e nënshkruar nga deputetët pjesëmarrës.

Deklarata e Pavarësisë u miratua në mënyrë unanime nga 109 deputetë të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës.

“Më 18 shkurt 2008 presidenca e BE njoftoi se, pas një dite bisedimesh të ashpra midis ministrave të jashtëm, vendet anëtare ishin të lira të vendosnin individualisht nëse do ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Shumica e shteteve anëtare të BE e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja vazhdojnë ta mos e njohin”.

Pak para Shpalljes së Pavarësisë, Bashkimi Evropian aprovoi vendosjen e një misioni joushtarak prej 2,000 anëtarësh për sundimin e ligjit, EULEX, për të zhvilluar më tej sektorin e policisë dhe drejtësisë në Kosovë. Të gjitha 27 vendet anëtare të BE miratuan mandatin e EULEX‑it, përfshirë edhe pesë vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka uruar Kosovën për 18-vjetorin e shtetësisë së saj dhe e ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, ka bërë të ditur Presidenca e Kosovës.

Në letër e nisur nga Trumpi, Kosova është përgëzuar për pjesëmarrjen në themelimin e Bordit të Paqes, si dhe për mbështetjen e këtij vendi në përpjekjet e SHBA-së për t’i zgjidhur problemet globale në Ukrainë, Gazë dhe vende tjera.

“Teksa marrëdhënia mes dy vendeve vazhdon të rritet, ne mirëpresim zgjerimin e partneritetit përmes bashkëpunimit tregtar dhe investimeve. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë së bashku me Kosovën për të avancuar paqen dhe stabilitetin për të mirën e përbashkët”, është thënë mes tjerash në letër.

Kosova së fundmi i është bashkuar nismës së Trumpit, Bordi i Paqes, përmes së cilës SHBA-ja synon dhënien fund të konflikteve në botë.

Urimi i Trump është pasuar edhe nga ai i mbretit Charles III: “Kjo ditë shërben si një mundësi e çmuar për të reflektuar mbi miqësinë e qëndrueshme midis vendeve tona. Jam thellësisht i inkurajuar nga fuqia e lidhjeve tona dypalëshe dhe mbetem i përkushtuar për të nxitur një bashkëpunim edhe më të ngushtë në vitet që vijnë. Ndërsa përballemi me sfidat e përbashkëta të kohës sonë, veçanërisht ato që lidhen me klimën dhe ruajtjen e botës sonë natyrore, shpresoj që vendet tona të vazhdojnë të punojnë së bashku për zgjidhje domethënëse dhe të qëndrueshme”, shkruhej në mesazhin e tij.

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe ai italian, Sergio Mattarella, i dërguan një letër urimi presidentes Vjosa Osmani.

Ndërkohë në Hagë po vijon gjyqi për ish-krerët e UÇK-së të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Sot zhvillohet seanca e shtatë e deklaratave përmbyllëse që tashmë ka kaluar te pyetjet e gjykatës.

Prokuroria Speciale ka kërkuar 180 vite burg në total për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin (45 vite secili). Në mbështetje të ish-krerëve, sot në orën 14:00 në Prishtinë, platforma “Liria ka Emër” ka thirrur një protestë ku do të marrin pjesë edhe figura të larta shtetërore.