Genta Tafa Bungo, ish-anëtarja e Komisionit të Vettingut, u betua sot në Parlament si Komisionere kundër Diskriminimit.

Pas thirrjes nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, Tafa u paraqit në foltore për të bërë betimin e saj mbi detyrën e re. Ky moment u kontestua mjaft nga opozita, teksa ishte kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi i cili pati më së shumti kundërshti.

“Ky është një turp kryetar, ajo zonjë (Genta Tafa Bungo) ka diskriminuar veriun, është përdorur politikisht, s’mund të shkojë në një institucion të pavarur. Është turp”, është dëgjuar të thotë Gazment Bardhi.

Por pavarësisht kontestimeve dhe zhurmës në sallë, Tafa kreu procedurën dhe u largua. Më herët, Genta Tafa Bungo ka qenë anëtare dhe drejtuesë në sistemin e “vettingut”, konkretisht në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku janë kontrolluar gjyqtarë dhe prokurorë për pasurinë dhe integritetin e tyre. Ajo ka mbajtur gjithashtu funksione akademike si pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë dhe ka punuar në fusha të ndryshme të administratës juridike.