Ndërsa prej gjashtë ditësh qytetarë dhe aktivistë protestojnë përpara Kryeministrisë kundër projektit në Zvërnec dhe kërkojnë dorëheqjen e tij, kryeministri Edi Rama ka komentuar situatën nga Vlora gjatë një bashkëbisedimi me një gazetar italian.
I pyetur nëse protestat mund të ndikojnë te investitorët e huaj dhe klima e biznesit në Shqipëri, Rama u shpreh se vendi mbetet funksional dhe demokratik, pavarësisht kundërshtimeve në rrugë.
“Shqipëria është një vend demokratik. Jeta vazhdon, puna vazhdon”, deklaroi ai.
Gjatë intervistës, kryeministri u pyet edhe për marrëdhëniet e tij me liderët perëndimorë dhe nëse po tregohet tepër i nënshtruar ndaj tyre. Rama iu përgjigj me humor dhe ironi pyetjes.
“Në gjunjë i ulem Melonit”, tha ai, duke iu referuar kryeministres italiane.
Kur gazetari e pyeti nëse e njëjta gjë vlen edhe për presidentin amerikan Donald Trump, Rama u përgjigj: “Më ke parë ndonjëherë t’i ulem në gjunjë? Jo”.
Deklaratat vijnë në një moment kur debati për projektin në Zvërnec dhe protestat kundër tij vijon të dominojë vëmendjen publike dhe politike në vend.
Rama me gazetarin italian
Gazetari: Kryeministër, mirëmbrëma. Na thoni, a mund të investojmë në Shqipëri?
Edi Rama: Pse, çfarë ka ndodhur?
Gazetari: Janë këto protestat…
Edi Rama: Aa, po. Shqipëria është një vend demokratik. Jeta vazhdon, puna vazhdon.
Gazetari: Nuk mendoni se po u gjunjëzoheni pak si tepër liderëve perëndimorë?
Edi Rama: Unë i ulem në gjunjë Giorgia Melonit.
Gazetari: Po Donald Trumpit?
Edi Rama: Më ke parë ndonjëherë t’i ulem në gjunjë? Jo.
