Seanca e radhës plenare e Kuvendit do të zhvillohet sot në orën 17:00, me një rend dite që përfshin diskutime mbi problematikat e evidentuara nga qytetarët gjatë takimeve me deputetët në zonat elektorale.
Duke qenë se java e kaluar ishte javë e gjelbër, e dedikuar për aktivitet parlamentar jashtë sallës së Kuvendit, pritet që në këtë seancë të reflektohen shqetësimet dhe kërkesat e ngritura nga zgjedhësit.
Sipas rendit të ditës, seanca parashikon:
- Miratimin e procesverbalit të seancës plenare të datës 19 shkurt 2026;
- Njoftime;
- Diskutime për çështje të evidentuara nga qytetarët.
Paralelisht me axhendën zyrtare, pritet që në sallë të ketë edhe debate me karakter politik. Në qendër të vëmendjes mund të jetë çështja e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për të cilën Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar arrestimin, nën akuzat për abuzim me tendera.
Seanca pritet të shoqërohet me diskutime të forta mes mazhorancës dhe opozitës, në një klimë politike të tensionuar.
