Detaje të reja kanë dalë në dritë nga shpërthimi me tritol në banesën e deputetit të Partisë Demokratike, Xhelal Mziu.

Në dëshminë e dhënë për policinë Mziu ka deklaruar se nuk dyshon tek asnjë person. Deputeti është shprehur se në momentin e shpërthimit, në banesë ndodhej vetëm ai dhe bashkëshortja e tij.

Fatmirësisht, askush nuk është lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale.

Nga hetimet paraprake të policisë, dyshohet se ngjarja është një mesazh, pasi sasia e lëndës plasëse ka qenë relativisht e vogël dhe është vendosur në pjesën e sipërme të murit rrethues të banesës.

Ndërkohë grupi hetimor vijon punën për identifikimin e autorëve dhe po analizohen të gjitha pistat, ku deri tani nuk ka persona të ndaluar.

Autoritetet janë duke shqyrtuar pamje nga kamerat e sigurisë si dhe po marrin dëshmi nga banorët e zonës për çdo lëvizje të dyshimtë para apo pas shpërthimit.