Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur Krujën, ku një automjet tip “Fiat” është dëmtuar pasi në pjesën e përparme të tij ishte vendosur një sasi tritoli.
Ngjarja ka shkaktuar vetëm dëme materiale dhe fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Sipas të dhënave paraprake nga hetimi, sasia e eksplozivit ka qenë e vogël dhe ishte vendosur pranë kofanos së automjetit.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, ku dyshohet se është regjistruar momenti kur autori afrohet pranë makinës, vendos lëndën plasëse dhe largohet më pas në këmbë. Personi dyshohet se ka qenë i veshur me rroba të errëta për të shmangur identifikimin.
Pronari i automjetit, Dervish Guni, ka deklaruar se nuk ka konflikte me persona të tjerë dhe se nuk ka dijeni për arsyen e sulmit apo për autorët e mundshëm.
Megjithatë, grupi hetimor po verifikon pistën e një konflikti të mëparshëm, veçanërisht për çështje të mundshme pronësie. Dyshimet paraprake janë se shpërthimi mund të ketë pasur qëllim intimidimin ose dhënien e një mesazhi paralajmërues.
Policia vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorit të vendosjes së lëndës plasëse.
