Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, vlerësoi punën e Prokurorisë së Posaçme në luftën ndaj korrupsionit.

Zyrtarja e lartë evropiane tha se SPAK po bën një punë të shkëlqyer dhe se po monitorohet nga Bashkimi Evropian.

“Shqipëria ka bërë një punë të shkëlqyer dhe jemi në procesin kur po ecet drejt standardeve të sundimit të ligjit, dhe situata duket mirë. Por sigurisht ka edhe disa raste, dhe ju keni përmendur rastin e Ballukut, të cilin po e monitorojmë me shumë kujdes. SPAK-u, agjencia e antikorrupsionit në Shqipëri, po bën një punë të shkëlqyer, dhe është në një farë mënyre normale që ata të zbulojnë raste te tilla. E rëndësishmja është të shihet që nëse këto çështje ekzistojnë, cilat janë reagimet, dhe këtë ne gjithashtu po e monitorojmë”, u shpreh Marta Kos.

Për Komisioneren Kos, me rëndësi është që korrupsioni të pranohet, e më pas të luftohet.

“Një tjetër çështje me antikorrupsionin, e cila është tipike do të thoja për vendet kandidate, është se mund të kesh legjislacionin më të mirë për të luftuar korrupsionin, por nëse korrupsioni pranohet në atë vend, atëherë juve keni një problem tjetër. Kështu që të gjitha këto vende po kalojnë nëpër procesin e ndryshimit të mendësisë në raport me korrupsionin dhe kjo kërkon kohë”, tha Komisionerja.

Lufta ndaj korrupsionit deri në nivele të larta të politikës është një ndër kushtet kryesore që duhet përmbushur në procesin integrues.

Top Channel