Në ditën e parë të zisë kishtare për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, besimtarët ortodoksë në gjithë Shqipërinë mblodhën në lutje për të nderuar veprën dhe përkushtimin e tij. Në Kishën “Ngjallja e Krishtit” në Korçë, dhjetëra besimtarë morën pjesë në shërbesën e përshpirtjes, duke vlerësuar kontributin e Kryepeshkopit të ndjerë në ngritjen e themeleve të Kishës Ortodokse Shqiptare.

Në mungesë të mitropolitit të Korçës, imzot Johanit, shërbesa u drejtua nga një klerik tjetër i Mitropolisë së Korçës, i cili theksoi solidaritetin dhe bashkimin e komunitetit ortodoks për të vazhduar misionin e Kryepeshkopit. Besimtarët kujtuan veprën e tij dhe u lutën për shpirtin e tij.

Në Kishën e Durrësit, besimtarët vendosën foto të Kryepeshkopit Janullatos dhe përshëndetën me lutje dhe biseda për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ringritjen e besimit ortodoks dhe rindërtimin e kishave në Shqipëri. Po ashtu, në Kishën e Shën Kollit në Elbasan, besimtarët ndezën qirinj dhe u lutën për shpirtin e tij, duke nderuar gjithashtu përkushtimin e Kryepeshkopit.

Një tjetër shërbesë për Kryepeshkopin u mbajt në Kishën e Shën Gjergjit në Fier, ku besimtarët bashkë u lutën dhe nderuan kontributin e tij, duke përmendur edhe angazhimin e tij për ndihmën dhe ringritjen e kishave dhe manastireve në mbarë vendin.

Po ashtu, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Gjirokastër, Mitropoliti Dhimitri drejtoi meshën e përshpirtjes, duke theksuar rëndësinë e veprës së Kryepeshkopit Anastas për harmoni ndërmjet besimeve fetare dhe mbështetje për ata që kanë nevojë.

Në përfundim të shërbesave, këmbanat e kishave të Korçës ranë për disa minuta si shenjë nderimi për Kryepeshkopin e ndjerë. Besimtarët u bashkuan në lutje për shpirtin e tij dhe për të ruajtur trashëgiminë e tij të shenjtë.