Në pritje të shqyrtimit në Asamblenë e Partisë Socialiste të mocionit të saj për një “Marrëveshje të Re për Shqipërinë”, Elisa Spiropali ka publikuar një mesazh me tone simbolike në rrjetet sociale.
Ish-ministrja e Jashtme ka ndarë një fotografi të një lumi shqiptar, të shoqëruar me shprehjen: “Mëso nga lumi; pengesat mund ta detyrojnë të ndryshojë rrjedhën, por kurrë destinacionin”.
Postimi vjen pas mocionit të bërë publik nga Spiropali në mesin e muajit korrik, të cilin ajo ia ka paraqitur Asamblesë së PS-së. Në të, ajo kërkon hapjen e një dialogu të gjerë kombëtar, duke argumentuar se pakënaqësitë dhe protestat qytetare duhet të shërbejnë si mundësi për reflektim dhe reformim.
Spiropali ka deklaruar se Shqipëria ka nevojë për më shumë përfaqësim, demokraci të brendshme, meritokraci dhe institucione më të forta, ndërsa sipas saj, ndryshimi duhet të nisë nga vetë Partia Socialiste përmes një procesi reformimi të brendshëm.
Pas largimit nga posti i ministres së Jashtme, Spiropali është shfaqur si një nga zërat më kritikë brenda grupit parlamentar socialist.
Ajo u kritikua më herët nga kryeministri Edi Rama për mungesën në Kuvend gjatë votimit për kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, si edhe për qëndrimet e shprehura në rrjetet sociale.
Në atë kohë, Rama e paralajmëroi se qëndrime të tilla mund të sillnin pasoja brenda grupit parlamentar, ndërsa Spiropali iu përgjigj duke thënë se “nuk është trimëri të përjashtosh, trimëri është të dëgjosh”.
