Sivjet 1700 aplikantë, 4 herë më pak se në vitin 2014


Shpresa Mezini


mesues-1024x768Bie ndjeshëm interesi për të punuar si mësues në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare të vendit. Zyrtarisht mësohet se numri i aplikantëve në portalin “Mësues për Shqipërinë”, për këtë vit, i dyti për nga përvoja në arsim, është 1700 në total. Shifër kjo 4 herë më e vogël në raport me aplikimet e një viti më parë, ku u regjistruan në total 8095 kandidatë, pra 6395 kandidatë më pak. “Sivjet regjistrohen 1700 kandidatë të interesuar për të punuar si mësues në një prej shkollave të mesme ose 9-vjeçare në nivel kombëtar. Për nga kërkesat, kryeson Tirana me 500 aplikantë; për të vazhduar me Elbasanin, që renditet i dyti; Fieri dhe Shkodra, ku gjithsej numërohen rreth 300 të regjistruar, ndërsa pjesa e mbetur, 900 të tjerët shpërndahen në qytete të tjera”, deklarojnë për gazetën “Shqip”, burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit.


Testimi


Provimi “Mësues për Shqipërinë” do të zhvillohet në datën 19 dhjetor në orën 10.00-12:30. “Procesi i konkurrimit për emërimin e mësuesve zhvillohet për të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret e përcaktuara në kuadrin ligjor në fuqi për ushtrimin e profesionit të mësuesit. Testimi i kandidatëve për ushtrimin e profesionit të mësuesit në sistemin arsimor parauniversitar do të zhvillohet, më datë 19 dhjetor në mjedise të planifikuara nga drejtoritë arsimore rajonale”, sqaroi më herët Ministria e Arsimit, e cila shtoi se në testim kanë të drejtë të marrin pjesë kandidatët që janë pranuar në fazën e parë të konkurrimit nëpërmjet vlerësimit të dosjes, si dhe kandidatët që kanë marrë pjesë në testimin e vitit 2014 dhe që duan të përmirësojnë rezultatin. Mësohet se testi do të jetë i ndarë në dy pjesë, ku pjesa e parë do të vlerësohet me 30 pikë, nga totali me 70 pikë dhe do të ketë pyetje me përmbajtje nga formimi i përgjithshëm i mësuesit, (dokumentacioni), programi, drejtshkrimi i gjuhës shqipe, si dhe komunikimi dhe etika. Ndërsa pjesa e dytë e testit përbën 40 pikë dhe përmban pyetje profesionale, lidhur me profilin shkencor sipas fushës. Testet e shpallura për kandidatët janë: test i arsimit parashkollor; test i arsimit fillor; test për profilet: gjuhë shqipe dhe letërsi, gjuhë angleze, gjuhë frënge, gjuhë italiane, gjuhë gjermane, matematikë, fizikë, biologji, kimi, histori, gjeografi, teknologji informacioni dhe komunikimi (TIK), shkenca shoqërore, ekonomi, edukim fizik, muzikë, art pamor, si dhe profile të tjera specifike brenda planit arsimor, sipas kërkesave nga njësitë arsimore vendore; test për degët: muzikë, art pamor dhe balet në kulturën profesionale në shkollat artistike dhe test i përgjithshëm për mësuesit e kulturës profesionale në arsimin special.


Viti 2014


Në vitin 2014, kur u prezantua për herë të parë portali “Mësues për Shqipërinë”, nëpërmjet të cilit do të plotësoheshin mbi 2000 vende vakante të shpallura nga MAS pas shkarkimit të mësuesve që jepnin mësim, pa arsimin përkatës, aplikuan mbi 8000 arsimtarë. Shifër kjo që dëshmoi edhe interesim të lartë të kandidatëve të interesuar për t’u punësuar në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare të vendit, ku njësoj si këtë vit kryesonte Tirana, me 1700 aplikime. “Vitin e kaluar u shpallën mbi 2000 vende vakante në lëndë të ndryshme si: fizkulturë, ku kërkoheshin 576 mësues; arsim fillor ku kërkoheshin 400 mësues; matematikë, ku kërkoheshin 276 mësues; anglisht ku kërkoheshin mbi 200 mësues; si edhe 170 vende të lira në arsimin parashkollor. Numri më i madh i të interesuarve u regjistrua në Tiranë, me 1700 aplikime, i dyti u rendit DAR Elbasan me 1200 të regjistruar, si dhe DAR Korçë me 844 mësues.