Ngërçi 


Sot data shënon 8 nëntor, e megjithatë shumë mësues nuk e kanë marrë ende pagën mujore, atë që u takon me ligj. Kaosi i krijuar nuk është asgjë më shumë e asgjë më pak se avazi i përvitshëm. E megjithatë, kjo vlen vetëm për arsimtarët që japin mësim në shkollat e fshatrave, në të gjithë vendin, jo për ata të qyteteve. Përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës bëjnë me dije se fondi i pagave është lëvruar, madje, sipas tyre, është shpërndarë te të gjithë. Nga ana tjetër, ata sqarojnë për gazetën “Shqip” se arsyeja pse mund të mos jenë paguar disa mësues nuk është më përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit apo asaj të Financave, pasi fondi është lëvruar tashmë, por është “ngërç” i krijuar në bankat ku ata tërheqin paratë. Duke iu referuar vendimit të Këshillit të Ministrave, mësuesit kanë të drejtë ta tërheqin rrogën në bankën që preferojnë, aty ku ata kanë një llogari bankare. Mësohet se mësuesit që japin mësim në Tiranë apo në qytetet e tjera të vendit e kanë marrë rrogën. Ata janë njoftuar nga banka përkatëse më datë 4 nëntor, që paga është derdhur në depozitën e tyre. Sh.Me.