Fondi 140 milionë lekësh për hartuesit dhe vlerësuesit, “peng” i Financave
Shpresa Mezini
Administratorët e maturës 2011-2012 nuk janë paguar ende, ndonëse kanë kaluar 3 muaj që nga periudha kur duhet të ishte bërë pagesa. Me mbylljen e procesit të Maturës Shtetërore, sesioni i parë më datë 30 qershor, i dyti më 14 shtator, duhet të ishte lëvruar fondi për pagesën e hartuesve dhe vlerësuesve të testeve. Por jo vetëm, duhet të mbylleshin edhe pagesat e administratorëve të këtij sistemi, mësuesve që u morën me menaxhimin e zhvillimit të testimeve dhe sekretuesve. Por, kjo nuk ka ndodhur. Ndonëse në Ministrinë e Arsimit u firmos shkresa që parashikon shumën e parave që duhet të shpërblehen vlerësuesit dhe hartuesit e testeve, duke përfshirë edhe afatin e kryerjes së pagesës, avazi përsëritet edhe këtë vit.
Burime në Ministrinë e Arsimit sqarojnë se në sistemin e maturës për këtë vit kanë marrë pjesë 30 hartues dhe 320 vlerësues, pagesa e të cilëve është e ndryshme. Specialistët që kanë bërë vlerësimin e tezave paguhen me 40 mijë lekë të reja secili, ndërsa hartuesit e pyetjeve të 4 testeve me 45 mijë lekë të reja. Fondi që Ministria e Arsimit akordoi për administratorët e maturës së këtij viti është rreth 14 milionë lekë, pa përfshirë pagesën e administratorëve, numri i të cilëve nuk është bërë publik. Por, ky fond nuk është lëvruar ende nga institucioni përgjegjës, për rrjedhojë specialistët që kanë hartuar e vlerësuar testet nuk i kanë marrë paratë për punën e kryer.
“Punonjësit që angazhohen jashtë kohës normale të punës në procesin e administrimit dhe të vlerësimit të provimeve të Maturës Shtetërore 2011, të paguhen sipas akteve nënligjore në fuqi. Shpenzimet e udhëtimit, të hotelit dhe të ushqimit të specialistëve të përfshirë në këtë proces mbulohen nga institucionet përkatëse”, thuhet në udhëzimin e MASH-it.
Bazuar në këtë dokument zyrtar, rezulton se edhe pagesa e administratorëve që kanë menaxhuar zhvillimin e testimit dhe administratorët e sekretimit, që kryen procesin e identifikimit dhe të sekretimit mbështetur në listën emërore të maturantëve duhet të ishin paguar prej kohësh, ndonëse kjo nuk ka ndodhur ende, pas afro 3 muajve që nga përfundimi i maturës për këtë vit.
Një prej mësuesve të shkollave të mesme në vend sqaron se pagesa duhet të ishte bërë të paktën 15 ditë pas vlerësimit të testeve me zgjedhje. Kjo edhe sipas një urdhri të brendshëm të lëshuar nga drejtoritë përkatëse të shkollave të mesme, ku thuhej se shlyerja e tyre do të bëhej brenda një harku kohor prej 15 ditësh që nga përfundimi i procesit të zhvillimit të testeve të fundit të maturës, provimeve me zgjedhje, notat e të cilave u publikuan nga MASH më datë 11 korrik. Pagesa e mësuesve të ngarkuar me rolin e administratorëve dhe sekretuesve, hartuesve dhe vlerësuesve të testeve duhet të ishte bërë më datë 27 korrik. Mësohet se pagesa e administratorëve, konkretisht mësuesve që merren me menaxhimin e një provimi varion nga 25-35 mijë lekë të vjetra.
Ngërçi – MASH nuk lëvron fondin e pagesave të administratorëve, vlerësuesve dhe hartuesve të testeve, pas 3 muajsh vonesë
Fondi – Në shkresën zyrtare të Ministrisë së Arsimit rezulton se shuma që akordon MASH për specialistët e maturës arrin në mbi 14 mln lekë
Pagesat – Vlerësuesit e testeve paguhen 40 mijë lekë të reja, hartuesit me 45 mijë lekë, menaxhuesit nga 25-35 mijë lekë të vjetra
Matura gjuha e huaj provim i detyruar
Prioritet anglishtja, nuk përjashtohen gjuhwt qw mwsojnw shkollat
Vitin e ardhshëm shkollor, 2013-2014, maturantët do t’u nënshtrohen 3 provimeve të detyruara. Kjo për shkak se 2 provimeve të detyruara, letërsisë dhe matematikës, do t’i shtohet edhe gjuha e huaj, ku prioritet do të ketë anglishtja duke mos përjashtuar gjuhët e tjera, që nxënësit kanë mësuar në shkollë. Kështu, maturantët e vitit 2013 do të zhvillojnë 5 provime, nga të cilat 3 janë të detyruara, ndërsa dy të tjerat me zgjedhje, siç ka funksionuar gjatë përvojave të mëparshme.
Duke qenë se gjatë 4 apo 5 viteve të shkollës së mesme nxënësit mësojnë dy gjuhë të huaja, gjuha e huaj që do të testohet vitin e ardhshëm me detyrim do të jetë ajo që është studiuar që në fillore. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, tha se gjuha e huaj, për të cilën do të testohen nxënësit mund të jetë anglishtja ose një gjuhë tjetër.
Kjo është arsyeja pse Ministria e Arsimit ka ndërmarrë një sërë projektesh për ta shtrirë gjuhën angleze edhe në shkollat profesionale dhe në degë tepër specifike, siç është, teknologjia e informacionit.
Këto deklarata, ministri i Arsimit i bëri gjatë vizitës në shkollën elektrike “Gjergji Canco”, i shoqëruar nga ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Cannon, nga i cili ka marrë mbështetjen maksimale për shtrirjen e gjuhës angleze në shkolla.
Sistemi i Maturës Shtetërore, i aplikuar prej disa vitesh në arsimin e mesëm shqiptar është aplikuar me zhvillimin e 2 provimeve të detyruara, Gjuhës Shqipe e Letërsisë dhe Matematikës. Po ashtu vitin e ardhshëm njësoj si sivjet provimet me zgjedhje, përveç emërtimit që kanë do të jenë kusht i pakontestueshëm për të qenë student në një prej fakulteteve të vendit, qoftë në publik apo privat. Sh.Mezini