Protestuesit u vunë zjarrin ndërtesave dhe thyen xhamat në shtetin Guerrero të Meksikës
Mësuesit e zemëruar nga një reformë e gjerë në sektorin e arsimit në Meksikë sulmuan ndërtesat e partive politike në shtetin Guerrero në jug-perëndim të Meksikës. Për shumë orë, protestuesit e maskuar i vunë zjarrin dhe sulmuan zyrat me shkopinj, si dhe shkruan parulla nëpër muret e tyre.
Guvernatori i shtetit bëri thirrje për ndihmë nga qeveria federale. Reformat imponojnë një vlerësim të centralizuar për mësuesit dhe synojnë t’u japin fund praktikave të korruptuara në sistemin arsimor.
Mes praktikave korruptive përfshihen blerja dhe shitja e posteve të punës si mësues. Por sindikatat thonë se reforma mund të sjellë një pushim masiv nga puna dhe kritikët sugjerojnë se qeveria ndoshta synon t’i hapë rrugë privatizimit të sistemit arsimor.
Protestat e ditës së djeshme erdhën pasi Parlamenti i shtetit, Guerrero, refuzoi të amendojë ligjin për arsimin, ku përfshihen edhe ndryshime në Kushtetutë, të cilat duhet të ratifikohen nga secili shtet.
Rebelimi është i ngjashëm me protestat e zhvilluara nga e njëjta sindikatë në shtetin Oaksaka më 2006 gjatë një greve që vijoi për shumë muaj. Gjithsesi mendohet se në këtë rast në rebelim janë përfshirë edhe disa gangsterë që marrin pjesë një të ashtuquajturat grupimet e vetëmbrojtjes civile.
Të përbërë nga fshatarë vendës dhe bashkësi indigjene, këto grupe të armatosura kanë filluar ta marrin drejtësinë në duart e veta duke krijuar pika kontrolli rrugore dhe duke arrestuar njerëz për të cilët dyshojnë se janë pjesë e krimit të organizuar.
Kombinimi i të dy grupeve dhe ndjenja e përbashkët e tyre e indinjatës ndaj qeverisë vendore e kombëtare, bën që qeveria ta ketë të vështirë të kontrollojë situatën. Çdo veprim nga policia apo forcat e sigurisë ka gjasa që do të përballet me përgjigje të dhunshme nga protestuesit, të cilët duket se nuk kanë ndër mend të heqin dorë.
Policia qëndroi mënjanë gjatë zjarrvënieve në kryeqytetin e shtetit, Çilpancingo, megjithëse disa qindra forca po ruajnë Parlamentin e shtetit. Dhjetëra protestues sulmuan zyrat e partisë qeverisëse PRI, si dhe zyrat e partive të opozitës, të cilat kanë mbështetur reformat.
Një senator dhe departamenti i arsimit të shtetit u sulmuan nga demonstruesit, të cilët thyen dritaret dhe shkatërruan kompjuterët, tavolinat e karriget duke i hedhur ato nga dritaret.
Ata dogjën letra brenda zyrave, ndërsa disa punonjës gjendeshin ende aty. Protestuesit e maskuar shkruan parulla “tradhtarë të popullit” nëpër mure. Mësuesit janë pjesë e një sindikate të vogël, por radikale. Zëdhënësi i sindikatës tha se protestat e dhunshme qenë “një reagim ndaj politikave agresive që po imponohen nga reformat dhe kjo është arsyeja se pse janë ndërmarrë aksione të tilla kundër partive” që votuan kundër propozimeve të protestuesve.
Guvernatori i shtetit, Angel Aguirre, bëri thirrje për mbështetje federale. Presidenti Enrique Pena Nieto e miratoi ligjin e arsimit në shkurt, por deputetët duhet të hartojnë ligj më vete për zbatimin e tij.