Provimet e shtetit
Datat dhe pagesat për degët ku do të realizohet kontrolli i dijeve
Shpresa Mezini
Nis sezoni për zhvillimet e provimeve të shtetit për degë të ndryshme. Të parët që do të testohen më 26 nëntor janë infermierët, datat e tjera do të vazhdojnë deri më 12 dhjetor, afat që do të shërbejë për testimin e profesioneve si: mami, laborantë, fizioterapistë, teknikë, imazheri dhe logopedistë. Pagesa që do të kryejnë kandidatët për këtë mundësi të parë është 10 mijë lekë të reja, që rritet me 2500 lekë të reja më shumë për çdo mundësi të humbur. Duke iu referuar të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Provimeve, mësohet se provimi do të zhvillohet dy herë në ditë, përkatësisht në orën 10.00 dhe në orën 14.00, në godinën e AKP-së. Specialistët e këtij institucioni sqarojnë se kandidatët duhet të paraqiten 30 minuta para se të nisë provimi pranë ambienteve, ku do të zhvillohet testi, ndërsa duhet të jenë të pajisur me dokumentacionin e kërkuar. Dokumentet që duhet të paraqesin të interesuarit për t’u pajisur me licencë profesioni janë: kartë identiteti, një fotokopje të saj, mandatpagesën e tarifës së provimit të shtetit dhe faturën e publikuar nga AKP-ja të vulosur nga institucioni ku është marrë mandatpagesa.
“Kandidatët duhet të kontrollojnë emrin dhe datën e dhënies së provimit në listat përkatëse. Dhënia e provimeve të shtetit për profesionet e rregulluara do të vijojë deri në muajin janar të vitit të ardhshëm”, njofton Agjencia Kombëtare e Provimeve.
Këtë vit, për herë të parë, gjatë muajit dhjetor do të shtohen në provimin e shtetit edhe tri profile të tjera të Fakultetit të Infermierisë, që janë: nën specialitet imazheri, logopedi dhe teknik laboratori.
Mësuesia
Ndonëse provimi i parë nis për infermierët, të parët që do të testohen në muajin dhjetor janë rreth 200 mësues.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Provimeve, në këtë provim do të futen të gjithë të sapodiplomuarit nga viti 2009 në degën e mësuesisë, të cilët i janë nënshtruar praktikës njëvjeçare në këtë fushë. Mësohet se testi do të zhvillohet për 19 profile të kësaj dege, ndërsa mësuesit e rinj, përveç testimeve që do të kryejnë për lëndët ku janë diplomuar, do të testohen edhe për drejtshkrimin e gjuhës shqipe.
“Në periudhën 17-24 dhjetor, për herë të parë zhvillohet provimi në degën e mësuesisë, ndërsa pagesa që kryejnë ata arrin në vlerën e 10 mijë lekëve të reja. Vlen të ritheksohet se në këtë provim do të marrin pjesë ata mësues që kanë një diplomë të ciklit të dytë dhe që kanë kryer praktikën profesionale pranë shkollave përkatëse ku i kanë caktuar drejtoritë arsimore për vitin akademik”, tha Niko Terezi, specialist në AKP.
Urdhri i Infermierit
Tashmë janë publikuar rezultatet e testimit të praktikës për 370 kandidatë të infermierisë, mamisë, laborantëve, fizioterapistëve, teknikëve të imazherisë dhe logopedistëve, ata të cilët kanë fituar të drejtën për të zhvilluar provimin e shtetit.
“Në këtë testim kanë rezultuar mbetës vetëm 4 kandidatë, të cilët nuk kanë të drejtë të hyjnë në provimin e shtetit që do të zhvillohet pas pak ditësh. Këta 4 kandidatë do të vazhdojnë të zhvillojnë praktikën profesionale, ndërsa për zhvillimin e testimit do të duhet të presin deri në muajin maj të vitit të ardhshëm, tjetër sesion, që do të vihet në dispozicion të ngelësve”, sqarohet në njoftimin zyrtar të Urdhrit të Infermierit. Kjo strukturw njofton se ka hartuar të gjitha listat përkatëse me kandidatët e regjistruar që do të marrin pjesë në provimin e shtetit, të cilët në total janë rreth 1100.