Sivjet profile të reja, pjesë e tezës, njohuri mbi gjuhën gjermane dhe greke
Provimi i shtetit për mësuesit do të komplikohet edhe më shumë. Vendimi i fundit i firmosur nga ministri i Arsimit dhe Shkencës parashikon testimin e mësuesve, vetëm nëse zotërojnë diplomën e masterit shkencor. Në të kundërt, të gjithë arsimtarët e diplomuar në vitin 2010 dhe më parë do të humbasin të drejtën për të zhvilluar provimin e shtetit. Mirëpo kjo ndëshkon rëndë arsimtarët që u përkasin këtyre brezave të të diplomuarve në fushën e arsimit, pasi rrezikojnë të humbasin vendin e punës.
E vetmja mënyrë për t’i shpëtuar kësaj “fatkeqësie” është nisja e studimeve të ciklit të dytë, master shkencor, jo profesional.
Kështu, kandidatët duhet të kenë mbaruar patjetër këtë cikël studimesh, pavarësisht se mund të kenë kryer një vit praktikë. Ky është urdhri i ministrit të Arsimit, ndërkohë që gjatë muajit korrik do të testohen mësuesit që kanë mbaruar sistemin e vjetër katërvjeçar. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, institucion që merret me hartimin dhe vlerësimin e provimeve të shtetit, mësohet se sivjet në testimin e mësuesve janë shtuar edhe disa profile të tjera, siç është gjuha gjermane dhe ajo greke. “Në arsimin fillor kemi katër deri në pesë kandidatë, të cilët janë sipas sistemit të integruar, ndërkohë që ata të sistemit të ri do të futen vitin tjetër në provim, sepse me urdhër të ministrit, mësuesit e arsimit fillor do të pranohen vetëm ata me master shkencor, jo me master profesional”, sqaroi Niko Terezi, specialist në Agjencinë Kombëtare të Provimeve.
Ndërkohë, bazuar në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, kandidimi për vendet e lira të punës që do të rezultojnë në shkollat e ndryshme të rretheve, do të përfshijë në listë vetëm mësuesit që do të kalojnë me sukses provimin e shtetit. Këta mësues fillimisht duhet të kalojnë provimin për të marrë lejen e ushtrimit të profesionit, për të fituar të drejtën e konkurrimit për vendet e reja të punës. Për t’u ardhur në ndihmë kandidatëve me përgatitjet, Ministria e Arsimit ka shpallur udhëzimin e plotë të procedurës dhe përmbajtjes së testit së bashku me temat që duhen përvetësuar. Sipas programit të hartuar nga ekspertët e Ministrisë së Arsimit, provimi i shtetit për mësuesit është i përbërë nga dy pjesë: pjesa pedagogjike, që do të zërë rreth 40 për qind të pyetjeve dhe pjesa profesionale, që do të zërë 60 për qind të pyetjeve. Programi i provimit të shtetit për pjesën pedagogjike është një program orientues, që do të bazohet në kompetencat kryesore që duhet të zotërojë një kandidat për mësues në formimin e tij të përgjithshëm, ndërsa pjesa tjetër do të jetë vetëm për përgatitjen profesionale që mësuesi ka në lëndën përkatëse ku ai është specializuar gjatë studimeve të shkollës së lartë. Udhëzimi i shpallur detajon edhe disa modele pyetjesh të shoqëruara nga përgjigjet përkatëse, në mënyrë që arsimtarët të dinë sesi duhet të përqendrohen në përgatitjen e tyre për të siguruar rezultatin maksimal nga ky provim. Për çdo lëndë parashikohet të hartohen rreth 2000-3000 pyetje, ndërkohë që zhvillimi i testimit edhe për arsimtarët do të jetë dixhital.
Ditët e fundit, i janë nënshtruar provimit të shtetit mjekët, farmacistët, infermierët dhe mamitë. Niveli i kalueshmërisë, sipas specialistëve të AKP-së, ka qenë i ulët edhe në ato degë që në sezonet e mëparshme janë konsideruar si elitare. Degët si Mjekësi dhe Infermieri kanë rezultuar relativisht të suksesshme bazuar në përqindjen e mbetësve, ndërsa më problematike mbetet farmacia, studentët e të cilës kanë qenë më të dobët se vitet e kaluara, ku kalueshmëria ishte në masën e 47%, edhe pse testi, sipas specialistëve, nuk ka qenë i vështirë. Shpresa Mezini
