Gjykata e Posaçme refuzoi sot kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për ndryshim të masës së sigurimit personal.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, e cila ndoqi procesin, tha se mbrojtja ligjore e Metës bëri kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, duke ofruar dhe garanci pasurore, por nuk u mor parasysh nga trupi gjykues.
Ndërkohë në sallë, avokati i ish-Presidentit, Kujtim Cakrani ka pasur debate në distancë me prokurorin e çështjes Sotir Kllapi, teksa ky i fundit lexoi nga dosja një mesazh që Ilir Meta i kishte dërguar Kastriot Ismailajt duke i thënë se i duheshin “200 mijë”.
Avokati ka reaguar duke thënë se bëhej fjalë për bluza për fushatën.
Pjesë nga diskutimet në sallë:
Prokurori i SPAK Sotir Kllapi: Në 22 qershor 2009 i pandehuri i ka dërguar Kastriot Ismailajt “më duhen 200 mijë mos harro”
Ndërhyn avokati i Metës dhe Kryemadhit: 200 mijë bluza mos harro. Se ishte kohë fushate mos harro…
SPAK: Avokat ulu…
Avokati i Metës: Me mua kujdes fol mirë, korrigjohu…
Gjykata: Qetësi…
Prokurori Arben Kraja: Që kur ka nisur seanca ne nuk kemi ndërhyrë as folur, kërkojmë barazi në gjykim.
Gjykata: Sapo ndërhyra e kërkova qetësi…
Meta: Me leje për procedurë. Meqenëse prokurori ka dëshirë të merret me CEZ DIA dhe meqenëse personat e tjerë nuk janë të përfshirë në këtë ose të ndalemi këtu ose të vijojmë…
Avokati i Metës: President është procedurë…
Prokurori i SPAK Sotir Kllapi: Në 19 nëntor 2023 është ushtruar kontroll ndër të tjera edhe në banesën e Fatime Kryemadhit. Ndër të tjera është sekuestruar edhe një aparat telefon që i është kryer ekspertiza. Janë marrë prova që hedhin dritë mbi faktet penale. Në këtë banesë janë sekuestruar edhe dy mandat pagesa ku rezulton qe një pjesë e çmimit për një banesë në bllok është bërë më shumë./ Top Channel
