Ish-presidenti Ilir Meta ka kundërshtuar në gjykatë vendimin e Prokurorisë së Tiranës, e cila vendosi të mos regjistrojë procedim penal ndaj punonjësve të paraburgimit “313”, pas kallëzimit të bërë prej tij.
Meta i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me një ankim, duke kërkuar rrëzimin e vendimit të organit të akuzës dhe vijimin e hetimeve për pretendimet e ngritura në denoncimin e tij.
Në kallëzimin e depozituar më herët, ish-kreu i shtetit ka pretenduar se punonjës të institucionit të paraburgimit kanë kryer “shpërdorim detyre”, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si është trajtuar gjatë qëndrimit në qeli, si edhe për kufizimet që, sipas tij, i janë vendosur në komunikime.
Pas verifikimeve paraprake, Prokuroria e Tiranës arriti në përfundimin se nuk ekzistonin prova apo elementë të mjaftueshëm për të nisur ndjekje penale ndaj punonjësve të paraburgimit, duke vendosur mbylljen e çështjes.
Me anë të ankimit, Meta kërkon që gjykata të shfuqizojë këtë vendim dhe të urdhërojë organin e akuzës të vijojë hetimet për kallëzimin e tij.
Dosja do të shqyrtohet nga gjyqtarja Vjollca Sahiu, e cila pritet të vendosë nëse do të lërë në fuqi vendimin e Prokurorisë së Tiranës apo do të kërkojë kryerjen e veprimeve të tjera hetimore.
