Gjykata Kushtetuese vendosi të kalojë në seancë plenare, pra me shqyrtim dokumentar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta. Gjyqtarët u mblodhën këtë të mërkurë në Dhomën e Këshillit për të vendosur për çështjen e Metës, i cili ka depozituar kërkesë për shpalljen si jo kushtetues. Burime bëjnë me dije se seanca plenare që do të mbahet në vazhdim do të jetë me dyer të mbyllura dhe jo e hapur si në rastin e Erion Veliajt dhe shqyrtimi do të jetë me bazë dokumentare. Ish-presidenti Meta i është drejtuar Kushtetueses për të gjetur zgjidhje, pasi pretendon shkelje në tre shkallë të gjyqësorit, ndërsa një ditë më parë iu drejtua edhe Gjykatës së Lartë me rekursin e radhës, për rrëzimin e masës së sigurisë.
Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara
