Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta nuk heq dorë nga kërkesa e tij për t’u liruar nga qelia.
Siç mëson gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, ish-presidenti i vendit ka dorëzuar sot në Gjykatën e Lartë kërkesën për zbutjen e masës arrest me burg.
Pak javë më parë, Gjykata e Posaçme e rrëzoi kërkesën e Metës për zbutjen e masës.
Gjyqtari i hetimit paraprak Erjon Çela e konsideroi të pabazuar kërkesën e Ilir Metës për t’u liruar. Për SPAK-un, që ishte kundër kërkesës për të zbutur masën e arrestit në burg, ekziston mundësia që Ilir Meta të intimidojë dëshmitarët.
Një qëndrim i tillë u kundërshtua nga avokatët, që thanë se procesi po paragjykohet për sa kohë hetimet janë mbyllur dhe nuk ka rrezikshmëri që të ndikojë në marrjen e provave. Pasi kanë parashtruar qëndrimet e tyre, në mungesë të klientit, avokatët e tij nuk e pritën gjykatën kur dha vendimin, por e braktisën seancën.
Ilir Meta akuzohet zyrtarisht për korrupsion në tre raste, pastrim parash mbi një herë dhe fshehje pasurie. Të pandehur me të janë edhe Monika Kryemadhi, Fatime Kryemadhi, Ema Çoku dhe Pirro Xhixho, që të katërt me masa më të lehta krahasuar me ish-presidentin apo kreun aktual të Partisë së Lirisë, i cili nga burgu thotë përmes avokatëve se po pengohet të bëjë politikë.
Top Channel
