Ilir Meta ka reaguar drejtpërdrejt nga ambientet e paraburgimit, gjatë një lidhjeje live në emisionin “Breaking” me Dafina Hysën në “Top News”, një ditë pas seancës gjyqësore të zhvilluar ndaj tij.

Në fjalën e tij, Meta ka shprehur pakënaqësi për mënyrën si u trajtua gjatë gjyqit, duke kritikuar vendosjen në një kabinë xhami në sallë. Sipas tij, një masë e tillë është e pajustifikuar dhe e tepruar, duke shtuar se një trajtim i tillë përdoret zakonisht vetëm për persona me rrezikshmëri të lartë.

Unë kam kontribuar (për drejtësinë e re) dhe e kam bërë unë me konsensus me 140 vota, të tjerët e kanë përmbysur me 69 vota prokurorin e përgjithshëm.

Me këtë drejtësinë  e re nuk shkon edhe ajo që ka thënë vetë Komiteti i Helsinkit para disa ditësh për rastin tim apo për rastin Beqaj, apo për rastin e funksionarëve ose ish-funksionarëve të lartë publik sepse gjykata e drejtësisë së re nuk mund të na japi ne si standard për të qëndruar në kabinë qelqi, standardin e një terroristi arab, të një kamikazi që ka bërë akt terrorist në Francë. Nuk është ai standardi i Konventës Evropiane është ajo që thotë Komiteti i Helsinkit.

Nuk ka të bëjë me praktikën kjo, kjo është përmbysje e praktikave demokratike. Unë jam arrestuar me 2 korrik, bëhet viti dhe mua nuk më është dhënë vendimi i zbardhur, çfarë kam shkelur unë. Si mund të ankohem unë për një vendim, mua nuk më jepet vendimi që ta ankimoj”, tha Meta.