Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, presidenti Ilir Meta deklaroi se nëse Rama pranon që në 13 tetor të bëhen 3 palë zgjedhje, atëherë është gati që të dalë në fushatë.

Meta shtoi se është i gatshëm të lërë zyrën, nëse vendin e tij e merr një njeri me integritet, duke iu referuar këtu ish-presidentit Rexhep Meidani.

"E ftoj kryeministrin Rama që të reflektojë, të mos pengojë zbatimin e dekretit për 13 tetorin, ftoj KQZ-në të mos vijojë me paligjshmëri, ftoj partitë që duan dhe jo ato që nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje.

Nëse kërkon kryeministri jam i hapur të lë detyrën e Presidentit duke konkurruar në 13 tetor, por vetëm me një kusht që në këtë zyrë të vijë një njeri me integritet, që ka qenë në këtë zyrë dhe ka provuar se mbrojtja e interesit kombëtar është mbi çdo gjë tjetër, psh si profesor Mejdani.

Është një njeri që ato dy tre çështje do i mbronte edhe më mirë se unë. Kështu që mos bëjmë sikur nuk e shohim thellimin e krizës", tha Meta.