Biznesmeni Pëllumb Gjoka, i pandehur në dosjen e bujshme “Metamorfoza”, ka vendosur të tërhiqet nga përfitimi i gjykimit të shkurtuar.
Sipas avokatit të tij, ndarja e çështjes dhe mënyra e administrimit të provave përbën një dëm të drejtpërdrejtë për klientin, ndërkohë që shpresa për një qëndrim të prerë nga Gjykata Kushtetuese lidhur me vlefshmërinë e provave të siguruara përmes aplikacionit SKY ECC nuk është materializuar.
“Patëm pritshmëri që Gjykata Kushtetuese të deklaronte të pavlefshme provat e marra nga komunikimet në SKY ECC, por për fat të keq kemi një vendim ‘as mish, as peshk’,” u shpreh avokati.
Edhe ish-shoferi i Gjokës, Edmond Preka është tërhequr nga gjykimi i shkurtuar, duke kërkuar të gjykohet veçmas.
Nga ana tjetër, gjatë seancës, avokati i ish-prokurorit Xhevahir Lita ka kërkuar gjykim të shkurtuar, ashtu si edhe Ardit Hasanbegaj, Astmer Bilali dhe Oltion Bistri, gjithashtu përmes avokatit kërkoi gjykim të shkurtuar. Në seancën që po mbahet në GJKKO, prokurori i Posaçëm Arben Kraja është shprehur se të dhënat e “SKY ECC” janë harmonizuar me prova të tjera që implikojnë të pandehurit e kësaj dosje.




