Ish-kryeministri Sali Berisha është larguar nga seanca e Kuvendit, pasi u rikthye aty pas 11 muajsh.
Ai u ndal të fliste për gazetarët ,teksa theksoi se në rikthim, i ra në sy luksi i shfrenuar i anëtarëve të kabinetit qeverisës.
“Këta janë njerëz që nuk dëgjojnë zërin e Zotit. Janë të verbuar nga luksi. Lënë shuma përrallore në kazino dhe mejhane dhe nuk duan tja dinë për pensionet. Mezi qëndrova në foltore nga gërshetimi i parfumeve të luksit të ministreve dhe ministrave. Aty bëhet një paradë luksi, bizhus dhe parfumesh dhe të duket sikur je në sallon bukurie dhe jo parlament. S’e di kur blen stolinë e oborrit 4 mijë euro, 20 mijë euro udhëtime me Ismailin e famshëm, ministër që ulen me biftekun 1 mijë euro, qerpikë artificialë 150 euro në javë. Është haram luksi i tepruar. Kjo qeveria ka qeverisur për 8 vite me oligarkët.”– tha Berisha.



