Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës ka firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Politeknik të Tiranës ditën e sotme.
Ministrja Belinda Balluku në fjalën e saj para firmosjes së marrëveshjes ka deklaruar se ata duan që të rekrutojnë sa më shumë profesionistë të rinj në fushën e ndërtimit dhe energjitikës. Në fjalën e saj, Balluku u shpreh se profesionistët që janë në fund të karrierës do të duhet që t’ua lënë të rinjve stafetën e punës.
“Sot më shumë se kurrë është e rëndësishme që Shqipëria të punojë për ngritjen e një kapitali njerëzor që do t’i shërbejë ‘Shqipërisë 2030’. Ka nevojë për burime njerëzore që duhet të jenë të trajnuara dhe të kenë kaluar fazat e edukimit sipas kritereve të BE. Pa njerëz të formuar, pa të rinj të arsimuar, çdo reformë e vizion mbetet i mangët. Ndaj sot duhet të investojmë te te rinjtë.
Qeveria ka hartuar një program që vendos njeriun në qendër, brenda këtij mandati paga mesatare do jetë 1000 euro. Thelbësor është krijimi i mundësive të arsimit dhe trajnimit profesional. Shkollat do kthehen në multifunksionale, me konvikte dhe certifikata që do të njihen kudo. Duam të rekrutojmë profesionistë të rinj, në infrastrukturë, energjia etj. Ata që janë në fund të karrierës do duhet t’i lënë stafetën të rinjve”-, tha Balluku.