Kasem Kodra, babai i 37-vjeçares Migena Kodra, e cila u vra me armë zjarri në gjumë nga kunati i saj, Roland Sinani në Shkozë të Tiranës, ka treguar situatën dramatike që kanë kaluar dy fëmijët e së bijës.

Gjatë një interviste në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24, Kodra ka treguar se vajza e vogël ka kaluar një traumë të madhe, teksa qante tërë natën dhe e zinte gjumi vetëm në mëngjes nga lodhja. Po ashtu ai tha se të njëjtën situatë e ka kaluar edhe djali.

Kasemi rrëfen se prej më shumë se një viti ai po lufton me dhëndrin, sepse kërkon të kthejë në banesë fëmijët, në të njëjtën banesë ku u vra edhe nëna e tyre.

“Ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Nuk u vra as në rrugë as në dysheme, por në dyshek me një fëmijë në gji. Vajza e vogël ka qenë në një traumë të jashtëzakonshme, qante tërë natën dhe e zinte gjumi vetëm në mëngjes nga lodhja. Në të njejtën situatë ka qenë edhe djali.

Kujdestarinë e morëm ne sepse nuk kujdesej dot për të dy fëmijët, nuk e përballonte dot. Ish dhëndri ka shfaqur të meta mendore. Kur merrte një fëmijë në krah nuk i merrte dot të dy. Për fëmijët nuk ka kontribuar asnjë lek”, tha ai.