A woman sells Turkish flags with an image of the founder of modern Turkey depicted on them as anti-government protesters gather in Istanbul's Taksim squareTurqia


Protestat vijojnë, ndërsa Kryeministri pret që njerëzit të mërziten


Mijëra turq mbushën sërish rrugët gjatë ditës së djeshme në protesta kundër qeverisë, pavarësisht kërkesave të Kryeministrit Tayyip Erdogan për t’i ndërprerë ato menjëherë. Në Stamboll, protestuesit kaluan natën në një kamp të improvizuar, duke fjetur në tenda dhe në autobusë të vandalizuar apo të mbështjellë me batanije nën pemë. Policia luftoi protestuesit me gaz lotsjellës dhe ujë me presion në lagjen “Gazi” të Stambollit, e banuar përgjithësisht nga klasa punëtore. Situata qe më e qetë në kryeqytetin Ankara ku disa dhjetëra protestues mbetën në tenda në një park qendror.


Në një demonstrim të rrallë uniteti, tifozët e tre klubeve kryesore të futbollit të Stambollit, Beshiktash, Gallatasaraj dhe Fenerbahçe, organizuan parakalime të përbashkëta në sheshin “Taksim”. Ajo që filloi si një fushatë kundër rindërtimit në parkun “Gezi” në një cep të sheshit “Taksim” të Stambollit, u përshkallëzua në një demonstrim masiv të zemërimit të publikut ndaj autoritarizmit të perceptuar të Erdogan dhe partisë së tij me rrënjë islamike.


Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë shkaktuar mijëra të plagosur, ndërsa tre njerëz kanë gjetur vdekjen. Erdogan nuk ka dhënë shenja se po mendon të përdorë sërish policinë për të hequr tendat e protestuesve në parkun “Gezi”, ndërsa protestuesit kanë ndërtuar barrikada duke bllokuar një pjesë të qendrës së kryeqytetit.


“Le të na sulmojnë, ata nuk mund të na ndalojnë ne”, tha një anëtar i partisë komuniste të Turqisë me altoparlant ndërsa fliste nga sipër një furgoni në shesh. Vijimi i protestës përbën një sfidë për udhëheqësin që ka fituar tri zgjedhje të njëpasnjëshme dhe që po i merr protestat si një problem personal. Burime brenda partisë që Erdogan themeloi më 2001 tregojnë se ka një ndjesi të qenët nën rrethim brenda udhëheqësisë, ku forca me ndikim, por të shpërndara, janë të shqetësuar mbi nivelin e pushtetit që ai kontrollon.


Media vendëse raporton se brenda partisë po diskutohet mundësia për të thirrur zgjedhje të parakohshme, por kjo gjë nënkupton gjithashtu që rregullat e partisë të ndryshojnë për t’i lejuar Erdogan një mandat të katërt si Kryeministër. Erdogan e ka bërë të qartë se nuk ka ndër mend të tërhiqet, duke sugjeruar se partia e tij ka 50 për qind të votave, ndërsa ai nuk ka ndonjë rival as brenda dhe as jashtë partisë.