Gjykimi ndaj katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023, tre vjet pasi ishin arrestuar dhe dërguar në mbajtje në gjykatën e Kosovës në Hagë. Tani, më shumë se dy vjet më vonë, gjyqi ndaj tyre po shkon drejt përfundimit, pasi muajin e kaluar mbrojtja e Thaçit thirri dëshmitarët e parë.

Në mbrojtje të tyre dëshmuan në shtator ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams, dhe ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan. Që të gjithë thanë në dëshmitë e tyre se Thaçi nuk kishte autoritet mbi UÇK-n. Gjykata Speciale pret që deri në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm. Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë. Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët. Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve./REL