Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u prit këtë të mërkurë në një takim zyrtar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në selinë e Aleancës në Bruksel. Në një deklaratë për mediat, Rutte vlerësoi lart angazhimin e Shqipërisë brenda NATO-s dhe bashkëpunimin me aleatët, duke e konsideruar Tiranën një partner të besueshëm dhe aktiv në përpjekjet e përbashkëta të sigurisë.
“Është një nder i vërtetë të kem mikun tim të ngushtë, Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, që na viziton,” u shpreh Rutte.
Me tone miqësore dhe duke shkëmbyer batuta me kryeministrin shqiptar, kreu i NATO-s theksoi se Shqipëria, ndonëse një vend i vogël në përmasa, po luan një rol të madh në Aleancë dhe në ndihmën për Ukrainën.
“Ju jeni shumë i gjatë, por megjithatë Shqipëria nuk është aleati më i madh i yni dhe po bën kaq shumë. Dua t’ju falënderoj që jeni një aleat kaq i patundur. NATO mund të mbështetet tek Shqipëria dhe Shqipëria mund të mbështetet gjithmonë tek NATO,” përfundoi Rutte.
Fjala e plotë e Mark Rutte:
Është një nder i vërtetë që të kem mikun tim të ngushtë Rama, kryeministrinë Shqipërisë që na viziton. Shqipëria është një aleate e palëkundur, do të arrijë 2 përqindëshin e shpenzimeve ushtarake këtë vit, që është një angazhim i madh.
Shqipëria po zhvillon bazën e saj industriale përfshirë edhe përmes ndërmarrjeve shtetërore që është e rëndësishme sepse na duhet një bazë e fortë industriale në mbarë NATO-n.
Ju po ndihmoni shumë Ukrainën, po bëni shumë për të.
Po merrni pjesë në forcat atlantike në Letoni, merrni pjesë në KFOR.
Ju jeni shumë i gjatë por megjithatë Shqipëria nuk është aleati më i madh i yni dhe Shqipëria po bën kaq shumë. Dua t’ju falënderoj që jeni aleat kaq i patundur. Ju e dini që NATO mund të mbështetet tek Shqipëria dhe Shqipëria mund të mbështetet gjithmonë tek NATO.
Faleminderit për vizitën dhe që jeni një mik kaq i ngushtë personal dhe për gjithçka që po bëni për NATO-n.