GJKKO ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për dy shqiptarët e arrestuar, Burim Ferizaj dhe Përparim Kalbaj, të cilët dyshohen për transferimin e miliona eurove nga Zvicra në Shqipëri përmes sistemit informal “Hawala”.
Në kuadër të këtij hetimi, autoritetet zvicerane kanë ndaluar edhe Ervis Ferizajn.
Sipas SPAK, për të kaluar paratë e dyshuara të trafikut të drogës janë përdorur zyra këmbimi valutor dhe agjenci turistike, ndërsa “Hawala” ka funksionuar si një mënyrë për të shmangur çdo gjurmë bankare, kundrejt një tarife prej 6% të shumës së transferuar.
Paratë dyshohet se janë futur në vend përgjatë pesë viteve të fundit, në qindra raste të ndryshme, gjithmonë me burim aktivitetin kriminal të trafikut të drogës në Zvicër.
Operacioni i SPAK çoi dje në shkatërrimin e këtij grupi kriminal, i cili sipas Prokurorisë së Posaçme ka transferuar miliona euro, megjithëse nuk është bërë e ditur një shifër e saktë.
Grupi, që drejtohej nga të paktën tre persona nga Tirana, kishte ndërtuar një rrjet të plotë të sistemit “Hawala”, ku paratë i jepeshin një agjenti në një vend dhe, pa u transportuar fizikisht, një agjent tjetër në vendin pritës jepte shumën përfituesit, duke shmangur kështu çdo gjurmë të transaksioneve.
