Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, nisi ditën e parë të detyrës së tij të re, me një prej dosjeve më prioritare të momentit: gjendja e qytetarëve shqiptarë përballë situatës së sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme.

Hoxha drejtoi ditën e sotme një takim të shtabit të posaçëm të ngritur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, me ekipin drejtues dhe Ambasadorët e Shqipërisë në Lindjen e Mesme, të cilët po ndjekin në mënyrë të pandërprerë çdo zhvillim në rajon. Në një reagim në rrjetin social X, Hoxha theksoi se “siguria dhe mirëqenia e shtetasve shqiptarë mbeten përparësi absolute”.

Përfaqësitë tona diplomatike, sipas Ministrit të Jashtëm, janë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët shqiptarë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë.

Postimi i plotë:

Në ditën e parë të punës, dosja e parë në tovolinën time: përditësimi me situatën e sigurisë në vendet e Lindjes së Mesme, si pasojë e përshkallëzimit ushtarak në rajon, dhe në veçanti, analizimi i detajuar i problematikave dhe nevojave të qytetarëve shqiptarë, rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në këto vende.

Shtabi i posaçëm i ngritur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe ekipi drejtues i institucionit, në koordinim të ngushtë me përfaqësitë tona diplomatike në rajon, të cilat i falënderoj për angazhimin dhe përkushtimin profesional, po ndjek në mënyrë të pandërprerë dhe me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë.

Strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera, janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë të nevojshme në varësi të zhvillimeve në vendet e prekura dhe për t’iu përgjigjur përshtatshmërisht çdo situate.

Siguria dhe mirëqenia e shtetasve tanë mbeten përparësi absolute.