Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka thirrur këtë të hënë në një mbledhje drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit. Takimi është parashikuar të nisë në orën 09:00 në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Mbledhja zhvillohet në një periudhë të ngarkuar për strukturat e rendit, veçanërisht për shkak të zjarreve që kanë përfshirë zona të ndryshme të vendit gjatë ditëve të fundit.

Policia ka intensifikuar kontrollet dhe hetimet për rastet e dyshuara të zjarrvënieve, ndërsa disa persona janë arrestuar ose proceduar penalisht nën dyshimin se kanë shkaktuar zjarre.

Pritet që Lamallari të kërkojë nga drejtuesit vendorë një pasqyrë të situatës në qarqet përkatëse, jo vetëm sa i përket vatrave të zjarrit dhe reagimit ndaj emergjencave, por edhe problematikave të rendit dhe sigurisë publike.

Në tryezë pritet të diskutohen gjithashtu masat që strukturat vendore duhet të ndërmarrin në terren, koordinimi mes institucioneve dhe forcimi i reagimit të Policisë ndaj ngjarjeve të ditëve të fundit.